Dhjata e Re

Luka 16:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet:«Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë.

2. Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestari i pasurisë.”

3. Atëherë kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç’të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp.

4. E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre.”

5. Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”

6. Ai i tha: “Njëqind masa vaj.”Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë.”

7. Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”.Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë.”Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë.”

8. Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, sepse kishte vepruar me zgjuarsi. Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në punët me njëri-tjetrin.

9. Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t’ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara.

10. Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 16