Dhjata e Re

Luka 11:40-54 Së Bashku (ALNT)

40. Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen?

41. Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme dhe kështu do të keni të pastër gjithçka.

42. Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat.

43. Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe!

44. Mjerë ju që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».

45. Njëri nga mësuesit e ligjit të Moisiut iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra».

46. Por Jezui i tha:«Mjerë edhe ju, mësues të ligjit të Moisiut, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i mbajtur!

47. Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë!

48. Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret.

49. Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, por ata do t’i vrasin e disa do t’i përndjekin”,

50. që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës,

51. që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarias, që e vranë mes altarit dhe shenjtërores. Po, po ju them se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni.

52. Mjerë ju, mësues të ligjit të Moisiut, sepse keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por edhe të tjerët i penguat që të hyjnë».

53. Kur Jezui doli, skribët dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh,

54. duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 11