Dhjata e Re

Luka 11:11-22 Së Bashku (ALNT)

11. A ka ndër ju ndonjë baba që do t’i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut?

12. Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t’i jepte një akrep?

13. Nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t’ua japë prej qiellit Shpirtin e Shenjtë atyre që ia kërkojnë!».

14. Jezui po dëbonte një djall që ishte djalli i memecërisë. Kur u dëbua djalli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

15. Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».

16. Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një mrekulli nga qielli.

17. Por Jezui që i njihte mendimet e tyre u tha:«Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës.

18. Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit?

19. Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20. Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

21. Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt.

22. Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën dhe u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 11