Dhjata e Re

Luka 10:33-42 Së Bashku (ALNT)

33. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të.

34. Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të.

35. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër.”

36. Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “tjetri” për atë që ra në duart e kusarëve?».

37. Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë».Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».

38. Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Marta e priti në shtëpi.

39. Ajo kishte një motër që quhej Mari, që u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij.

40. Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t’i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!».

41. Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra,

42. por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që nuk do t’i merret».

Lexoni kapitullin e plotë Luka 10