32. Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër.
33. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të.
34. Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të.
35. Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër.”
36. Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “tjetri” për atë që ra në duart e kusarëve?».
37. Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë».Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».
38. Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Marta e priti në shtëpi.
39. Ajo kishte një motër që quhej Mari, që u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij.
40. Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t’i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!».