Dhjata e Re

Luka 10:20-33 Së Bashku (ALNT)

20. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».

21. Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i Shenjtë e tha:«Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.

22. Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë».

23. Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve dhe u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju!

24. Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».

25. Atëherë një mësues i ligjit të Moisiut u ngrit për ta vënë në provë Jezuin dhe i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?».

26. Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligjin e Moisiut? Çfarë lexon atje?».

27. Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje tjetrin si veten».

28. Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh».

29. Por ai, meqenëse donte t’i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është tjetri?».

30. Jezui iu përgjigj:«Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.

31. Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër.

32. Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër.

33. Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 10