Dhjata e Re

Luka 1:2-19 Së Bashku (ALNT)

2. siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi,

3. edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t’i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil,

4. me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.

5. Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakaria, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aaronit që quhej Elizabetë.

6. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve dhe urdhërimeve të Zotit.

7. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë dhe të dy ishin të shkuar në moshë.

8. Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij,

9. sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin.

10. Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta.

11. Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit.

12. Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika.

13. Por engjëlli i tha:«Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Gjon.

14. Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t’i gëzohen lindjes së tij.

15. Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë dhe as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e Shenjtë që në bark të nënës.

16. Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre.

17. Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elias, për t’i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur».

18. Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar».

19. Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Zotit dhe jam dërguar për të folur me ty dhe për të të dhënë këtë lajm të mirë.

Lexoni kapitullin e plotë Luka 1