Dhjata e Re

Kolosianëve 2:8-17 Së Bashku (ALNT)

8. Kujdes se mos ju gënjen ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote dhe jo nga Krishti.

9. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin

10. dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo autoritet dhe pushtet.

11. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit.

12. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve.

13. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të idhujtarisë suaj, por Perëndia ju dha jetë dhe jua fali paudhësitë.

14. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq.

15. Kështu Perëndia i çarmatosi autoritetet dhe pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.

16. Mos lejoni t’ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja apo të shtunash.

17. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.

Lexoni kapitullin e plotë Kolosianëve 2