Dhjata e Re

Kolosianëve 2:7-18 Së Bashku (ALNT)

7. Tek ai t’i keni rrënjët dhe mbi atë ta ndërtoni jetën tuaj. Bëhuni më të qëndrueshëm në besim, ashtu siç ju kanë mësuar, dhe jini plot mirënjohje.

8. Kujdes se mos ju gënjen ndokush me fjalë filozofike, mashtruese e të kota, fjalë që vijnë nga tradita njerëzore, nga fuqitë shpirtërore të kësaj bote dhe jo nga Krishti.

9. Në të vërtetë, gjithë plotësia e natyrës hyjnore banon trupërisht në Krishtin

10. dhe të bashkuar me Krishtin edhe ju e keni këtë plotësi. Ai është mbi çdo autoritet dhe pushtet.

11. Të bashkuar me Krishtin, ju keni rrethprerjen e vërtetë, jo rrethprerjen e bërë nga duar njerëzore, por rrethprerjen që vjen nga Krishti dhe që është zhveshja e trupit të mëkatit.

12. Ju u varrosët me Krishtin gjatë pagëzimit, por edhe u ngjallët bashkë me të nëpërmjet besimit te fuqia e Perëndisë që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve.

13. Ju ishit të vdekur për shkak të paudhësive tuaja dhe të idhujtarisë suaj, por Perëndia ju dha jetë dhe jua fali paudhësitë.

14. Ai e fshiu dhe e zhduku dorëshkrimin që na padiste dhe që ishte kundër nesh për shkak të urdhërimeve të tij, duke e mbërthyer në kryq.

15. Kështu Perëndia i çarmatosi autoritetet dhe pushtetet djallëzore dhe i turpëroi botërisht kur ngadhënjeu kryqi.

16. Mos lejoni t’ju gjykojë askush për çështje ushqimesh a pijesh, për çështje festash, hënash të reja apo të shtunash.

17. Këto nuk janë veçse hije të gjërave që duhej të vinin, domethënë të pranisë së vërtetë të Krishtit.

18. Mos lejoni që t’ju gjykojë ndonjëri që hiqet si më i lartë për shkak të vegimeve që ka parë, apo që këmbëngul në përulësi të jashtme dhe në adhurime engjëjsh, sepse ky njeri krekoset më kot për shkak të mendjes së tij të dobët njerëzore.

Lexoni kapitullin e plotë Kolosianëve 2