Dhjata e Re

Juda 1:12-25 Së Bashku (ALNT)

12. Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore, që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara dhe të shkulura nga rrënjët,

13. si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.

14. Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë:«Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj,

15. për t’i gjykuar të gjithë dhe për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë dhe për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij».

16. Këta janë njerëz që murmurisin dhe ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim.

17. Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht:

18. «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura».

19. Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin e Perëndisë.

20. Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë dhe lutuni me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë.

21. Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar.

22. Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje.

23. Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t’i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.

24. Atij që mund t’ju ruajë për të mos rënë në mëkat dhe që mund t’ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij,

25. të vetmit Perëndi, Shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani dhe për të gjithë shekujt! Amen!

Lexoni kapitullin e plotë Juda 1