Dhjata e Re

Jakobi 3:6-18 Së Bashku (ALNT)

6. Gjuha është zjarr dhe botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej ferrit.

7. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur.

8. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës.

9. Me atë bekojmë Zotin dhe Atin dhe po me atë mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë.

10. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu.

11. A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur?

12. O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.

13. Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e urti.

14. Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

15. Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore.

16. Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga.

17. Ndërsa urtia që vjen nga lart së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.

18. Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 3