kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

Jakobi 3 Së Bashku (ALNT)

Gjuha

1. Vëllezërit e mi, mos u bëni shumë prej jush mësues, sepse e dini se do të gjykohemi më ashpër,

2. duke qenë se gabojmë në shumë gjëra. Nëse dikush nuk gabon me fjalë, atëherë ai është njeri i përsosur dhe i aftë për të sunduar gjithë trupin e tij.

3. Ja, kuajve ua vëmë frerët në gojë, që të na binden dhe t’u drejtojmë të gjithë trupin.

4. Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri.

5. Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.Ja ç’pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël!

6. Gjuha është zjarr dhe botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej ferrit.

7. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur.

8. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës.

9. Me atë bekojmë Zotin dhe Atin dhe po me atë mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë.

10. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu.

11. A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur?

12. O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.

Urtia që vjen nga lart

13. Cili nga ju është i urtë e i mençur? Ai le ta tregojë këtë me sjelljen e tij të mirë dhe me veprat e bëra me butësi e urti.

14. Nëse keni në zemër smirë të hidhur dhe shpirtin e grindjes, mos u mburrni dhe mos gënjeni kundër së vërtetës.

15. Kjo lloj urtie nuk vjen nga lart, por është tokësore, shqisore e djallëzore.

16. Atje ku ka smirë e grindje, ka trazirë dhe gjithfarë gjërash të liga.

17. Ndërsa urtia që vjen nga lart së pari është e pastër, pastaj paqësore, e butë, e bindur, plot me mëshirë dhe me fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite.

18. Fryti i drejtësisë mbillet paqësisht nga ata që bëjnë paqen.