Dhjata e Re

Jakobi 3:4-12 Së Bashku (ALNT)

4. Shikoni edhe anijet! Megjithëse janë aq të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon i vogël atje ku dëshiron timonieri.

5. Kështu edhe gjuha është gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.Ja ç’pyll të madh mund të djegë një zjarr i vogël!

6. Gjuha është zjarr dhe botë padrejtësie. Ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona dhe ndyn gjithë trupin. Ajo e bën shkrumb gjithë rrjedhën e jetës sonë dhe ndizet prej ferrit.

7. Çdo lloj egërsire e shpendi, zvarraniku e kafshe deti zbutet. Dhe njeriu i ka zbutur.

8. Por gjuhën nuk ka mundur ta zbusë asnjeri. Ajo është një e keqe e papërmbajtshme dhe plot me helm vdekjeprurës.

9. Me atë bekojmë Zotin dhe Atin dhe po me atë mallkojmë njerëzit që janë krijuar sipas përngjasimit të Perëndisë.

10. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezërit e mi, nuk duhet të ndodhë kështu.

11. A mund të dalë nga i njëjti burim ujë i ëmbël dhe i hidhur?

12. O vëllezërit e mi, a mund të prodhojë fiku ullinj apo hardhia fiq? Kështu, as burimi i kripur nuk mund të nxjerrë ujë të ëmbël.

Lexoni kapitullin e plotë Jakobi 3