kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5

Dhjata e Re

Jakobi 2 Së Bashku (ALNT)

Dallimet ndërmjet njerëzve

1. Vëllezërit e mi, mos e përzieni besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jezu Krishtit, me dallimet ndërmjet njerëzve.

2. E zëmë se kur mblidheni së bashku, vjen dikush që ka unazë ari dhe rroba të shtrenjta, si edhe një i varfër me rroba të vjetra.

3. Nëse tregoni kujdes të veçantë për atë që ka veshur rrobat e shtrenjta dhe i thoni: «Ti ulu këtu në vendin e mirë!», ndërsa të varfrit i thoni: «Ti rri në këmbë atje ose ulu këtu te këmbët e mia!»,

4. a nuk keni bërë kështu dallime ndërmjet jush, duke u bërë gjykatës me mendime të liga?

5. Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia të varfrit e botës për t’i bërë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?

6. Ndërsa ju nuk e nderuat të varfrin. A nuk janë të pasurit ata që ju sundojnë dhe ju heqin zvarrë nëpër gjyqe?

7. A nuk janë ata që përdhosin emrin e mirë me të cilin jeni quajtur?

8. Nëse zbatoni ligjin e mbretërisë së Perëndisë, siç thuhet në Shkrimin e shenjtë: Duaje tjetrin si veten!, atëherë veproni mirë.

9. Por nëse bëni dallime, bëni mëkat dhe ligji i Moisiut ju dënon si shkelës.

10. Kush e zbaton të gjithë ligjin e Moisiut, por e shkel në një pikë, bëhet fajtor ndaj të gjithë ligjit.

11. Sepse ai që tha: «Mos bëj tradhti bashkëshortore!», tha edhe: «Mos vrit!». Nëse nuk bën tradhti bashkëshortore por vret, atëherë ke shkelur ligjin e Moisiut.

12. Prandaj flisni dhe veproni si njerëz që do të gjykohen me ligjin e lirisë.

13. Gjykimi do të jetë i pamëshirshëm me atë që nuk ka treguar mëshirë, ndërsa mëshira ngadhënjen mbi gjykimin.

Besimi dhe veprat

14. Ç’dobi ka, vëllezërit e mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?

15. Nëse ndonjë vëlla besimtar ose ndonjë motër besimtare nuk ka rroba për të veshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,

16. dhe ndonjë nga ju u thotë: «Shkoni në paqe, ngrohuni dhe ngopuni!», por nuk u jep atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç’dobi ka kjo?

17. Kështu, pra, edhe besimi pa vepra është i vdekur në vetvete.

18. Por, dikush do të thotë: «Ti ke besimin, ndërsa unë kam veprat».Unë i them: «Më trego si mund ta kesh besimin pa vepra dhe unë do të të tregoj besimin nga veprat e mia».

19. Ti beson se ka vetëm një Perëndi? Mirë bën. Edhe djajtë e besojnë dhe dridhen.

20. A do ta kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i padobishëm?

21. A nuk u bë i drejtë nga veprat ati ynë Abrahami kur kushtoi birin e tij, Isakun, mbi altar?

22. A e shikon se besimi bashkëveproi me veprat e tij dhe u përsos nëpërmjet tyre?

23. Kështu u përmbush Shkrimi i Shenjtë që thotë: Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë.

24. Pra, e shihni se njeriu bëhet i drejtë nga veprat e jo vetëm nga besimi.

25. Po ashtu edhe lavirja Rahabë. A nuk u bë e drejtë edhe ajo nga veprat kur priti të dërguarit dhe i përcolli nga një rrugë tjetër?

26. Sikurse trupi është i vdekur pa shpirtin, ashtu edhe besimi është i vdekur pa veprat.