Dhjata e Re

Hebrenjve 7:6-19 Së Bashku (ALNT)

6. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë.

7. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.

8. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton.

9. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën,

10. sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij Abrahamit kur ky u takua me Melkisedekun.

11. Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç’nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhërit të Melkisedekut dhe jo sipas urdhërit të Aaronit?

12. Kur ndryshohet priftëria, domosdo bëhet edhe ndryshimi i ligjit.

13. Zoti ynë, për të cilin bëhet fjalë, i përkiste një fisi tjetër, nga i cili askush nuk i kishte shërbyer ndonjëherë altarit.

14. Dihet se ai ishte nga fisi i Judës, fis për të cilin Moisiu nuk tha asgjë kur foli për priftërinë.

15. Kjo bëhet edhe më e qartë kur del një prift tjetër i ngjashëm me Melkisedekun,

16. i cili nuk u bë prift sipas rregullave njerëzore, por sipas fuqisë së jetës që s’ka fund.

17. Sepse Shkrimi i shenjtë dëshmon: Ti do të jesh prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut.

18. Urdhërimi i mëparshëm bie poshtë, ngaqë ishte i dobët e i padobishëm.

19. Ligji i Moisiut nuk bëri të përsosur askënd, por na dha një shpresë më të madhe, me të cilën i afrohemi Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 7