Dhjata e Re

Hebrenjve 7:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Ky Melkisedeku, ishte mbret i Salemit dhe prift i më të lartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi.

2. Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje.Emri Melkisedek do të thotë së pari ‘mbret i drejtësisë’. Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë ‘mbret i paqes’.

3. Nuk ia njohim as të atin, as nënën dhe as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen dhe as për vdekjen e tij. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.

4. Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur.

5. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit të Moisiut, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit.

6. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë.

7. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi.

8. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton.

9. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën,

10. sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij Abrahamit kur ky u takua me Melkisedekun.

11. Nëse do të arrinim në përsosje nëpërmjet priftërisë levitike, të cilën populli e kishte marrë nga ligji i Moisiut, ç’nevojë kishte të dilte një priftëri tjetër sipas urdhërit të Melkisedekut dhe jo sipas urdhërit të Aaronit?

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 7