Dhjata e Re

Hebrenjve 6:8-18 Së Bashku (ALNT)

8. Ndërsa, kur prodhon ferra e murriza, është e padobishme dhe po i afrohet mallkimi. Fundi i saj do të jetë djegia në zjarr.

9. Por, ndonëse flasim kështu, o fort të dashur, jemi të bindur se ju keni gjëra më të mira, që mbartin shpëtim.

10. Perëndia nuk është i padrejtë që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që keni treguar në emër të tij me shërbimin që u keni bërë dhe vazhdoni t’u bëni besimtarëve të krishterë.

11. Dëshirojmë që secili prej jush të tregojë po atë zell deri në fund, që të përmbushet shpresa juaj.

12. Mos u bëni përtacë, por ndiqni shembullin e atyre që, nëpërmjet besimit dhe durimit, trashëguan premtimin e Perëndisë.

13. Kur Perëndia i bëri premtimin Abrahamit, ngaqë nuk kishte ndonjë më të madh për t’u betuar, u betua për veten e tij

14. dhe tha: Të premtoj se do të të bekoj dhe do të të jap shumë pasardhës.

15. Kështu, Abrahami priti me durim dhe fitoi premtimin.

16. Njerëzit betohen për dikë që është më i madh se ata dhe betimi është siguria që japin për të mbyllur çdo mosmarrëveshje.

17. Kështu edhe Perëndia përdori betimin, duke dashur t’i sigurojë edhe më shumë trashëgimtarët e premtimit për palëkundshmërinë e vendimit të tij.

18. Pra, ka dy gjëra të pandryshueshme, për të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë.Nëpërmjet tyre, ne që kemi kërkuar strehë tek ai, marrim guxim të madh për t’u mbështetur në shpresën që kemi përpara.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 6