Dhjata e Re

Hebrenjve 13:11-24 Së Bashku (ALNT)

11. Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit.

12. Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij.

13. Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit dhe të shkojmë drej tij, duke duruar të njëjtin poshtërim.

14. Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15. Nëpërmjet Jezuit, le t’i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.

16. Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë.

17. Bindjuni krerëve tuaj edhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.

18. Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë.

19. Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.

20. Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar,

21. ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia në shekuj të shekujve! Amen!

22. Ju lutem vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt.

23. E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t’ju shoh bashkë me të.

24. Përshëndetni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë besimtarët e krishterë.Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia.

Lexoni kapitullin e plotë Hebrenjve 13