Dhjata e Re

Gjoni 7:38-52 Së Bashku (ALNT)

38. Kush beson në mua, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga brenda tij. Kështu thotë Shkrimi i shenjtë».

39. Këtë e tha për Shpirtin e Shenjtë që do të merrnin ata që do të besonin në të. Shpirti i Shenjtë nuk ishte dhënë ende, sepse Jezui ende nuk ishte ngritur në lavdi.

40. Kur dëgjuan këto fjalë, disa njerëz nga turma thanë: «Ky është me të vërtetë profeti»,

41. të tjerë thoshin: «Ky është Krishti», ndërsa të tjerë: «Vallë nga Galileja vjen Krishti?

42. A nuk thotë Shkrimi i shenjtë: “Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga Betlehemi, fshati nga ishte Davidi”?»

43. Kështu pati përçarje në turmë për shkak të Jezuit.

44. Disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45. Rojat u kthyen te kryepriftërinjtë e farisenjtë, që i pyetën: «Përse nuk e sollët?».

46. Ata iu përgjigjën farisenjve: «Kështu si ai nuk ka folur asnjëherë ndonjë njeri».

47. Farisenjtë u thanë: «Mos u mashtruat edhe ju?

48. A ka besuar në të ndonjë prej krerëve apo prej farisenjve?

49. Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin e Moisiut është e mallkuar».

50. Nikodemi, njëri prej farisenjve që kishte shkuar më parë te Jezui, tha:

51. «A e gjykon ligji ynë ndonjë njeri pa e dëgjuar më parë dhe pa marrë vesh se çfarë ka bërë?».

52. Ata iu përgjigjën: «Mos je edhe ti nga Galileja? Kërko dhe shiko se asnjë profet nuk vjen nga Galileja».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7