Dhjata e Re

Gjoni 7:3-17 Së Bashku (ALNT)

3. dhe vëllezërit e vet i thanë: «Largohu prej këtej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu të shohin veprat që bën!

4. Kush kërkon të jetë i njohur, nuk i fsheh ato që bën. Nëse ti bën vepra të tilla, shfaqja veten botës!».

5. Në të vërtetë as vëllezërit e tij nuk besonin në të.

6. Atëherë Jezui u tha: «Koha ime nuk ka ardhur ende, ndërsa për ju çdo kohë është e përshtatshme.

7. Bota nuk mund t’ju urrejë ju, ndërsa mua më urren, sepse unë dëshmoj se veprat e saj janë të liga.

8. Ju, shkoni në festë! Unë nuk do të vij në këtë festë, sepse koha ime nuk ka ardhur ende».

9. U tha këto dhe qëndroi në Galile.

10. Pasi vëllezërit e tij shkuan në festë, shkoi edhe Jezui, jo haptas por fshehurazi.

11. Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?».

12. Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!»,

13. por asnjë nuk fliste hapur për të, sepse kishin frikë nga judenjtë.

14. Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull dhe filloi të mësonte njerëzit.

15. Judenjtë habiteshin dhe thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet e shenjta pa ia mësuar njeri?».

16. Jezui u përgjigj:«Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi.

17. Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7