Dhjata e Re

Gjoni 7:21-31 Së Bashku (ALNT)

21. Jezui u tha:«Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë.

22. Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në fakt nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e, megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën.

23. Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, sepse shërova tërësisht një njeri të shtunën?

24. Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».

25. Disa nga Jerusalemi thoshin: «A nuk është ky ai që e kërkojnë për ta vrarë?

26. Ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë gjë! A mos kanë pranuar me të vërtetë krerët se ky është Krishti?

27. Por ne e dimë nga është ky, ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë nga është».

28. Atëherë Jezui, ndërsa mësonte njerëzit në tempull, thirri: «Po, mua më njihni dhe e dini nga jam. Megjithatë unë nuk kam ardhur nga vetja ime, por ai që më dërgoi është i vërtetë dhe atë ju nuk e njihni.

29. Por unë e njoh atë, sepse vij prej tij dhe ai më dërgoi».

30. Atëherë kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, pasi nuk i kishte ardhur ende koha.

31. Shumë nga turma besuan në Jezuin dhe thoshin: «A thua kur të vijë Krishti do të bëjë më shumë mrekulli se ky?».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7