Dhjata e Re

Gjoni 7:11-24 Së Bashku (ALNT)

11. Judenjtë e kërkonin në festë dhe pyesnin: «Ku është ai?».

12. Nëpër turmë pëshpëritej shumë për të. Disa thoshin: «Është i mirë». Të tjerë thoshin: «Jo. Ai po mashtron turmën!»,

13. por asnjë nuk fliste hapur për të, sepse kishin frikë nga judenjtë.

14. Nga mesi i festës Jezui shkoi në tempull dhe filloi të mësonte njerëzit.

15. Judenjtë habiteshin dhe thoshin: «Nga i njeh ky Shkrimet e shenjta pa ia mësuar njeri?».

16. Jezui u përgjigj:«Mësimi im nuk është i imi, por i atij që më dërgoi.

17. Kush dëshiron të bëjë vullnetin e tij do ta kuptojë nëse mësimi im është prej Perëndisë apo nëse unë flas nga vetja ime.

18. Kush flet nga vetja kërkon lavdi për vete, ndërsa kush kërkon lavdinë e atij që e dërgoi, thotë të vërtetën dhe në të nuk ka gënjeshtër.

19. A nuk jua dha Moisiu ligjin? Megjithatë asnjë prej jush nuk e zbaton. Përse kërkoni të më vrisni?».

20. Turma iu përgjigj: «Ty të ka pushtuar djalli. Kush kërkon të të vrasë?».

21. Jezui u tha:«Një mrekulli bëra dhe u habitët të gjithë.

22. Moisiu ju dha rrethprerjen, e cila në fakt nuk është dhënë nga Moisiu, por nga etërit, e, megjithatë, ju e rrethpritni njeriun të shtunën.

23. Nëse një njeri rrethpritet të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, përse zemëroheni me mua, sepse shërova tërësisht një njeri të shtunën?

24. Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni me drejtësi».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 7