Dhjata e Re

Gjoni 6:57-71 Së Bashku (ALNT)

57. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje.

58. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim».

59. Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.

60. Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?».

61. Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmurisnin për këto, u tha: «Kjo ju skandalizon?

62. Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë?

63. Shpirti i Shenjtë jep jetë, ndërsa gjërat njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt dhe jetë».

64. Por ka disa nga ju që nuk besojnë. Në të vërtetë Jezui e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe kush ishte ai që do ta tradhtonte.

65. Dhe u tha: «Prandaj ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë prej Atit».

66. Që atëherë shumë nga dishepujt e tij u tërhoqën dhe nuk u shoqëruan më me të.

67. Atëherë Jezui u tha të dymbëdhjetëve: «Mos doni të ikni edhe ju?».

68. Simon Pjetri iu përgjigj: «Zot, te kush të shkojmë? Ti i ke fjalët e jetës së amshuar.

69. Ne kemi besuar dhe e dimë se ti je i Shenjti i Perëndisë».

70. Jezui u tha: «A nuk ju zgjodha unë ju, të dymbëdhjetët? Dhe megjithatë njëri prej jush është djall».

71. Këtë e tha për Judën e Simon Iskariotit, sepse ky do ta tradhtonte ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 6