Dhjata e Re

Gjoni 6:37-50 Së Bashku (ALNT)

37. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë,

38. sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.

39. Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t’i ngjall në ditën e fundit.

40. Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin dhe besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t’i ngjall në ditën e fundit».

41. Atëherë judenjtë filluan të murmurisnin kundër Jezuit sepse kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit».

42. Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, i biri i Jozefit, nënën dhe babanë e të cilit i njohim? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?».

43. Jezui u përgjigj:«Mos murmurisni me njëri-tjetrin!

44. Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi dhe unë ta ngjall në ditën e fundit.

45. Profetët kanë shkruar: Të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë.

46. Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin.

47. Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar.

48. Unë jam buka e jetës.

49. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.

50. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 6