Dhjata e Re

Gjoni 6:20-37 Së Bashku (ALNT)

20. Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!».

21. Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin.

22. Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm.

23. Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit.

24. Njerëzit, kur panë se Jezui dhe dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka dhe shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar.

25. Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?».

26. Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë mrekulli, por sepse hëngrët prej bukëve dhe u ngopët.

27. Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati».

28. Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?».

29. Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!».

30. Ata i thanë: «Çfarë mrekullie mund të bësh që ta shohim dhe të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh?

31. Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, ashtu siç thonë Shkrimet e shenjta: U dha për të ngrënë bukë prej qiellit».

32. Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit,

33. sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit dhe i jep jetë botës».

34. Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!».

35. Jezui u tha:«Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje.

36. Por ju thashë se më keni parë dhe megjithatë nuk besoni.

37. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë,

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 6