Dhjata e Re

Gjoni 6:16-25 Së Bashku (ALNT)

16. Në muzg dishepujt zbritën në liqen,

17. hipën në varkë dhe po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata.

18. Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte.

19. Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës dhe u frikësuan.

20. Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!».

21. Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin.

22. Të nesërmen, turma që kishte qëndruar në bregun tjetër të liqenit, pa se atje nuk kishte veçse një varkë. Ata e dinin se Jezui nuk kishte hipur në varkë bashkë me dishepujt, porse dishepujt ishin nisur vetëm.

23. Varka të tjera erdhën nga Tiberiada afër atij vendi ku kishin ngrënë bukën pasi Zoti kishte thënë lutjen e falënderimit.

24. Njerëzit, kur panë se Jezui dhe dishepujt nuk ishin atje, hipën edhe ata nëpër varka dhe shkuan në Kafarnaum për ta kërkuar.

25. Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 6