28. Gruaja la shtambën dhe shkoi në qytet për t’u thënë njerëzve:
29. «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?».
30. Atëherë ata dolën nga qyteti dhe shkuan te Jezui.
31. Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!».
32. Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni».
33. Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?».
34. Jezui u tha:«Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përmbush veprën e tij.
35. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj dhe vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t’u korrur!”
36. Ai që korr merr shpërblimin dhe grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, si mbjellësi ashtu dhe korrësi.
37. Sepse është e vërtetë fjala “Njëri mbjell dhe tjetri korr.”
38. Unë ju dërgova të korrni atë për ç’ka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan dhe ju gëzuat frytet e mundimit të tyre».
39. Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë».
40. Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë.