Dhjata e Re

Gjoni 4:17-29 Së Bashku (ALNT)

17. Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë».Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë,

18. sepse ke pasur pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën».

19. Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet.

20. Etërit tanë samaritanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju judenjtë thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem».

21. Atëherë Jezui i tha:«Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.

22. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë.

23. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në shpirt dhe në të vërtetë, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

24. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt dhe në të vërtetë».

25. Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka».

26. Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas».

27. Ndërkohë mbërritën dishepujt e tij dhe u çuditën që ai po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?», apo: «Përse flet me të?».

28. Gruaja la shtambën dhe shkoi në qytet për t’u thënë njerëzve:

29. «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 4