1. Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt.
2. Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt.
3. Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja nga kryepriftërinjtë e farisenjtë me fenerë, pishtarë dhe armë në duar.
4. Jezui, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, u doli para dhe u tha: «Kë kërkoni?».
5. Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam».Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi.
6. Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe.
7. Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?».Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit».
8. Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë».
9. Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».