Dhjata e Re

Gjoni 18:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt.

2. Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt.

3. Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja nga kryepriftërinjtë e farisenjtë me fenerë, pishtarë dhe armë në duar.

4. Jezui, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, u doli para dhe u tha: «Kë kërkoni?».

5. Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam».Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi.

6. Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe.

7. Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?».Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit».

8. Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë».

9. Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».

10. Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk.

11. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».

12. Atëherë kohorta, komandanti i saj dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 18