Dhjata e Re

Gjoni 16:19-27 Së Bashku (ALNT)

19. Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, ndaj u tha:«Po diskutoni me njëri-tjetrin sepse thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?

20. Me të vërtetë po ju them se do të qani dhe do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.

21. Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, po kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë.

22. Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, po kur t’ju shoh përsëri, do t’ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin.

23. Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë.

24. Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim. Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.»

25. «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t’ju flas më me përngjasime, por do t’ju flas hapur për Atin.

26. Atë ditë do të kërkoni në emrin tim dhe nuk ju them se do t’i lutem Atit për ju.

27. Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 16