Dhjata e Re

Gjoni 16:10-23 Së Bashku (ALNT)

10. Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më.

11. Në lidhje me gjykimin, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.

12. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por tani nuk mund t’i mbani.

13. Po kur të vijë Shpirti i së vërtetës, ai do t’ju drejtojë tek e gjithë e vërteta. Ai nuk do të flasë nga vetja, por do të flasë ato që do të dëgjojë dhe do t’ju njoftojë gjërat që do të ndodhin.

14. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë nga gjërat e mia dhe do t’jua lajmërojë.

15. Gjithçka që ka Ati është imja, prandaj ju thashë se do të marrë nga gjërat e mia dhe do t’jua lajmërojë.»

16. «Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish».

17. Disa nga dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Ç’është kjo që na thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish” apo “Unë po shkoj tek Ati”?».

18. Ata thoshin: «Ç’është kjo “edhe pak” që thotë? Nuk po kuptojmë çfarë thotë!».

19. Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, ndaj u tha:«Po diskutoni me njëri-tjetrin sepse thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?

20. Me të vërtetë po ju them se do të qani dhe do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.

21. Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, po kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë.

22. Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, po kur t’ju shoh përsëri, do t’ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin.

23. Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, do t’jua japë.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 16