Dhjata e Re

Gjoni 13:5-16 Së Bashku (ALNT)

5. Pastaj hodhi ujë në një enë dhe filloi t’ua lante këmbët dishepujve e t’ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez.

6. Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?».

7. Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë».

8. Pjetri i tha: «Nuk do të m’i lash kurrë këmbët!».Jezui u përgjigj: «Po nuk t’i lava, nuk ke pjesë me mua».

9. Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën».

10. Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë».

11. Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër».

12. Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha:«E kuptoni këtë që ju bëra?

13. Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam.

14. Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njëri-tjetrit.

15. Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë.

16. Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 13