Dhjata e Re

Gjoni 10:23-38 Së Bashku (ALNT)

23. Jezui po ecte në tempull në portikun e Solomonit.

24. Atëherë judenjtë e rrethuan dhe i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur».

25. Jezui u përgjigj:«Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua,

26. por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia.

27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin pas.

28. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.

29. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij.

30. Unë dhe Ati jemi një».

31. Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë.

32. Jezui iu përgjigj: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?».

33. Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, po për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi».

34. Jezui u përgjigj:«A nuk është shkruar në ligjin tuaj: Unë thashë: Jeni perëndi.

35. Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi i shenjtë nuk mund të hidhet poshtë.

36. Atëherë, si mund t’i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë: “Fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë: “Jam Biri i Perëndisë”?

37. Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38. por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni dhe të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 10