Dhjata e Re

Galatasve 4:3-14 Së Bashku (ALNT)

3. Po ashtu edhe ne, kur ishim të mitur, kemi qenë skllevër të fuqive shpirtërore të botës.

4. Po kur erdhi koha e caktuar, Perëndia dërgoi Birin e tij. Ai u lind nga një grua dhe iu nënshtrua ligjit të Moisiut

5. për të shpenguar ata që ishin nën atë ligj dhe që ne të birësohemi nga Perëndia.

6. Duke qenë se jeni bij të tij, Perëndia dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të tij që thërret: «Abba, o Atë!».

7. Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; e nëse je bir, je edhe trashëgimtar përmes Perëndisë.

8. Por dikur, kur nuk e njihnit Perëndinë, ishit skllevër të idhujve, që prej natyre nuk janë perëndi.

9. Ndërsa tani që e keni njohur Perëndinë, ose më mirë të them u njohët prej Perëndisë, si ktheheni përsëri te këto fuqi shpirtërore të dobëta e mjerane për t’u bërë sërish skllevër të tyre?

10. Ju i kremtoni me kujdes disa ditë të veçanta, muaj, stinë dhe vite.

11. Kam frikë se u mundova më kot për ju.

12. Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju. Ju nuk më bëtë asgjë të keqe.

13. Ju e dini se herën e parë që ju predikova ungjillin isha sëmurë.

14. Megjithëse sëmundja ime ishte një sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 4