Dhjata e Re

Galatasve 4:12-27 Së Bashku (ALNT)

12. Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju. Ju nuk më bëtë asgjë të keqe.

13. Ju e dini se herën e parë që ju predikova ungjillin isha sëmurë.

14. Megjithëse sëmundja ime ishte një sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu.

15. Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se po të kishte qenë e mundshme, ju do t’i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m’i dhënë mua.

16. A thua u bëra armiku juaj pse po ju them të vërtetën?

17. Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë. Përkundrazi, dëshirojnë t’ju shkëpusin, që pastaj t’u shërbeni me zell atyre.

18. Mirë është që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën, e jo vetëm kur unë jam me ju.

19. Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si të një gruaje gjatë lindjes, derisa Krishti të formohet në ju.

20. Do të doja të isha pranë jush tani dhe të ndryshoja tonin e zërit, sepse nuk di ç’të bëj më me ju.

21. Më thoni ju që dëshironi të jeni nën ligjin e Moisiut, a nuk e dëgjoni ç’thotë ky ligj?

22. Shkrimi i shenjtë thotë se Abrahami pati dy bij: një prej skllaves e një prej së lirës.

23. Biri i skllaves u lind përmes vullnetit njerëzor, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë.

24. Këto gjëra kanë kuptim alegorik. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra është Hagara që përfaqëson besëlidhjen e Malit të Sinait dhe lind fëmijë për skllavëri.

25. Mali i Sinait, që përfaqëson Hagara, është në Arabi dhe përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet.

26. Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor, që është nëna jonë.

27. Shkrimi i shenjtë thotë: Ngazëllohu ti shterpë, ti që nuk lind, kërce dhe bërtit nga gëzimi ti që nuk i ndjen dhimbjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që ka burrë.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 4