Dhjata e Re

Galatasve 3:17-28 Së Bashku (ALNT)

17. Ja çfarë po them: ligji i Moisiut, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin.

18. Pra, në qoftë se trashëgimia do të ishte prej ligjit të Moisiut, atëherë nuk do të ishte më nga premtimi. Por Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.

19. Atëherë, pse u dha ligji i Moisiut? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi të cilit iu bë premtimi. Ligji i Moisiut u shpall prej engjëjve nëpërmjet një ndërmjetësi.

20. Por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme dhe Perëndia është një i vetëm.

21. A është, pra, ligji i Moisiut kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Se, po të ishte dhënë një ligj që do të mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtet i drejtë nga ligji i Moisiut.

22. Por Shkrimi i shenjtë thotë që gjithçka është nën fuqinë e mëkatit, në mënyrë që premtimi i Perëndisë me anë të besimit në Jezu Krishtin t’u jepet atyre që besojnë.

23. Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit të Moisiut, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte.

24. Kështu ligji i Moisiut u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë nga besimi.

25. Por, pasi erdhi besimi, ne nuk jemi më nën kujdestari.

26. Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu.

27. Të gjithë ju që u pagëzuat për t’u bashkuar me Krishtin, u veshët me Krishtin.

28. Nuk ka më jude a grek, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse ju të gjithë jeni një të bashkuar me Krishtin Jezu.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 3