Dhjata e Re

Galatasve 2:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Pas katërmbëdhjetë vjetësh shkova sërish në Jerusalem me Barnabën dhe mora me vete edhe Titin.

2. Shkova se kështu më tregoi Perëndia në një zbulesë. Atje u shtjellova atyre ungjillin që predikoj ndër kombet pagane, veçanërisht atyre që ishin më të rëndësishëm, që të mos shkojë kot mundi që kam bërë e po bëj për ju.

3. Edhe Titi që ishte me mua, megjithëse është grek, nuk u detyrua që të rrethpritet,

4. pavarësisht vëllezërve të rremë e tinëzarë, të cilët kishin hyrë vjedhurazi për të përgjuar lirinë tonë që kemi përmes Krishtit Jezu dhe për të na robëruar.

5. Ne nuk iu nënshtruam këtyre as edhe për një çast, me qëllim që e vërteta e ungjillit të mbetej me ju.

6. Dhe ata që e mbanin veten si më të rëndësishëm - për mua nuk ka rëndësi çfarë ishin ata, se Perëndia nuk gjykon sipas pamjes së jashtme - këta pra, nuk i shtuan asgjë ungjillit tim.

7. Përkundrazi, ata e kishin parë se ungjilli për të parrethprerët më është besuar mua, sikurse Pjetrit i është besuar ungjilli për të rrethprerët.

8. Ai që e bëri Pjetrin apostull për të rrethprerët, më bëri edhe mua apostull për kombet pagane.

9. Ata e njihnin edhe hirin që më ishte dhënë. Jakobi, Pjetri dhe Gjoni, që njiheshin si shtylla të besimit, na shtrinë dorën e djathtë si shenjë vëllazërie mua dhe Barnabës, që ne të shkonim ndër kombet pagane, ndërsa ata ndër të rrethprerët.

10. Veçse na kërkuan të kujtoheshim për të varfrit e tyre, gjë që e kam bërë me këmbëngulje.

11. Po kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova haptas, sepse ishte për t’u qortuar.

12. Përpara se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë me prejardhje pagane. Po kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda veçmas prej frikës nga të krishterët e rrethprerë.

Lexoni kapitullin e plotë Galatasve 2