Dhjata e Re

Efesianëve 6:15-22 Së Bashku (ALNT)

15. Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes.

16. Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17. Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit të Shenjtë, që është fjala e Perëndisë.

18. Lutuni në çdo kohë dhe ia drejtoni kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë. Prandaj rrini zgjuar dhe këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë besimtarët e krishterë.

19. Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit.

20. Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.

21. Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t’ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh se si jam dhe çfarë po bëj.

22. Po e dërgoj te ju, që të dini se si jemi dhe që t’u japë ngushëllim zemrave tuaja.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 6