Dhjata e Re

Efesianëve 6:12-22 Së Bashku (ALNT)

12. Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër autoriteteve, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore.

13. Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t’i bëni ballë ditës së ligë dhe të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.

14. Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën dhe vishni drejtësinë si parzmore.

15. Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes.

16. Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17. Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit të Shenjtë, që është fjala e Perëndisë.

18. Lutuni në çdo kohë dhe ia drejtoni kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë. Prandaj rrini zgjuar dhe këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë besimtarët e krishterë.

19. Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit.

20. Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.

21. Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t’ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh se si jam dhe çfarë po bëj.

22. Po e dërgoj te ju, që të dini se si jemi dhe që t’u japë ngushëllim zemrave tuaja.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 6