Dhjata e Re

Efesianëve 5:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. Kështu pra, ndiqni shembullin e Perëndisë, sepse jeni bijtë e tij të dashur.

2. Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëmirë për Perëndinë.

3. Por kurvëria e çdo ndyrësi ose lakmi as të mos përmenden ndër ju, sepse kështu u ka hije besimtarëve të krishterë.

4. As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë.

5. Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të ketë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.

6. Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.

7. Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta.

8. Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës,

9. sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta.

10. Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 5