Dhjata e Re

Efesianëve 1:4-16 Së Bashku (ALNT)

4. Perëndia na zgjodhi përpara themelimit të botës, përmes Krishtit, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë para tij. Në dashurinë e tij,

5. Perëndia na paracaktoi për të na birësuar përmes Jezu Krishtit, me pëlqimin e vullnetin e tij,

6. që ne ta përlëvdojmë për hirin e tij të lavdishëm, që na e dhuroi përmes Birit të tij të dashur.

7. Perëndia na shpengoi përmes gjakut të Birit të tij dhe na i fali paudhësitë përmes hirit të tij të begatë.

8. Këtë hir ai na e dha me tepri, bashkë me çdo urti e mençuri.

9. Ai na bëri të njohur planin e fshehtë të vullnetit të vet, që me pëlqimin e tij kishte vendosur që më parë ta kryente përmes Krishtit.

10. Këtë plan ai do ta përmbushte në kohën e caktuar, për t’i vënë të gjitha gjërat nën autoritetin e Krishtit, si ato që janë në qiej, ashtu edhe ato që janë në tokë.

11. Të bashkuar me Krishtin, ne u zgjodhëm edhe për t’u bërë trashëgimtarë të Perëndisë, sepse ishim paracaktuar sipas vendimit të tij. Ai të gjitha gjërat i bën sipas qëllimit të vullnetit të vet,

12. në mënyrë që ne që kemi shpresuar në Krishtin, të jemi ata që do të përlëvdojmë lavdinë e tij.

13. Kur u bashkuat me Krishtin, ju dëgjuat edhe fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj. Ju besuat në të dhe Perëndia ju vulosi me Shpirtin e Shenjtë që kishte premtuar.

14. Ky Shpirt, është kapari i trashëgimisë sonë, për shpengimin e atyre që i përkasin Perëndisë, në mënyrë që të përlëvdojmë lavdinë e tij.

15. Prandaj edhe unë, që kur dëgjova për besimin tuaj në Zotin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë besimtarët e krishterë,

16. nuk pushoj së falënderuari Perëndinë për ju, duke ju përmendur në lutjet e mia.

Lexoni kapitullin e plotë Efesianëve 1