kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4

Dhjata e Re

2 Timoteut 3 Së Bashku (ALNT)

Njerëzit në ditët e fundit

1. Duhet ta dish se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira.

2. Njerëzit do të jenë egoistë, lakmitarë parash, mburravecë dhe mendjemëdhenj. Ata do të fyejnë Perëndinë dhe nuk do t’u binden prindërve. Do të jenë mosmirënjohës, të pafe,

3. pa dashuri njerëzore, zemërakë, shpifës, të papërmbajtur, shtazarakë, që nuk e duan mirësinë,

4. tradhtarë, kokëkrisur dhe fodullë. Ata do të jepen më shumë pas kënaqësive sesa do të duan Perëndinë;

5. do të jenë të përkushtuar ndaj tij në dukje, por në të vërtetë do ta kenë mohuar fuqinë e besimit. Largohu edhe nga këta.

6. Sepse disa prej këtyre përvidhen në shtëpitë e grave mendjelehta e mëkatare dhe i bëjnë për vete. Këto gra sundohen nga dëshira të ndryshme

7. dhe megjithëse përpiqen gjithnjë të mësojnë, nuk arrijnë asnjëherë të njohin plotësisht të vërtetën.

8. Ashtu si Janesi dhe Jambresi kundërshtuan Moisiun, po kështu edhe këta njerëz i kundërvihen së vërtetës, sepse janë mendjeprishur dhe mospërfillës ndaj besimit.

9. Këta nuk do të shkojnë shumë larg, sepse marrëzia e tyre do të duket sheshit para të gjithëve, ashtu sikurse ndodhi edhe me Janesin e Jambresin.

Porosia e fundit për Timoteun

10. Përkundrazi, ti Timote, ke ndjekur nga afër mësimin tim, sjelljen, qëllimin, besimin, durimin, dashurinë, qëndresën,

11. përndjekjet dhe vuajtjet që pësova në Antioki, në Ikon dhe në Listra. Durova shumë përndjekje, por Zoti më shpëtoi nga të gjitha.

12. Në të vërtetë, të gjithë ata që duan të bëjnë një jetë të përkushtuar ndaj Krishtit Jezu, do të përndiqen.

13. Ndërsa njerëzit e ligj dhe mashtrues do të bëhen edhe më keq, duke mashtruar dhe duke u mashtruar.

14. Por ti vazhdo të qëndrosh në ato që mësove dhe për të cilat u binde plotësisht, sepse ti e di prej kujt i mësove.

15. Që nga fëmijëria ti i ke njohur Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të japin urtinë që të çon drejt shpëtimit përmes besimit në Krishtin Jezu.

16. I gjithë Shkrimi i shenjtë është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje dhe për edukim në drejtësi,

17. që njeriu i Perëndisë të jetë i përgatitur plotësisht dhe i aftë për çdo vepër të mirë.