Dhjata e Re

1 Timoteut 6:1-14 Së Bashku (ALNT)

1. Të gjithë ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le të tregojnë nderim për zotërinjtë e tyre, që të mos shahen emri i Perëndisë dhe mësimi ynë.

2. Ata që i kanë besimtarë zotërinjtë e tyre le të mos i shpërfillin, sepse janë vëllezër. Përkundrazi, t’u shërbejnë edhe më mirë, sepse u shërbejnë vëllezërve besimtarë e të dashur.Këto gjëra mësoju dhe këshilloju të tjerëve.

3. Kush u mëson njerëzve një mësim tjetër dhe nuk ndjek fjalët e vërteta të Zotit tonë Jezu Krisht dhe mësimet e besimit tonë,

4. ai është mburravec dhe nuk di asgjë. Atij i janë bërë sëmundje debatet e kapja pas fjalëve. Nga këto vijnë smira, grindjet, fyerjet, dyshimet e liga,

5. zënkat pafund të njerëzve me mendje të shthurur, të privuar nga e vërteta dhe që e shohin besimin në Perëndinë si mjet përfitimi.

6. Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka,

7. sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj.

8. Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq.

9. Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim.

10. Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje.

11. Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, jetën e përkushtuar ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin dhe zemërbutësinë.

12. Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve.

13. Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit,

14. që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë dhe të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Timoteut 6