Dhjata e Re

1 Selanikasve 2:4-16 Së Bashku (ALNT)

4. por e predikojmë ungjillin ashtu siç na e besoi Perëndia, pasi dolëm të sprovuar prej tij. Ne nuk predikojmë që t’u pëlqejmë njerëzve, por që t’i pëlqejmë Perëndisë, i cili njeh zemrat tona.

5. Sikurse e dini, ne kurrë nuk kemi përdorur fjalë lajkatuese e as nuk kemi pasur qëllimin për të përfituar, dhe dëshmitar kemi Perëndinë.

6. Ne nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve.

7. Si apostuj të Krishtit mund t’ju bëheshim barrë, por, përkundrazi, ne u treguam të dhembshur me ju si nëna që kujdeset me ngrohtësi për fëmijët e vet.

8. Ne kishim një dashuri kaq të madhe për ju, saqë ishim të gatshëm jo vetëm t’ju predikonim ungjillin e Perëndisë, por të jepnim edhe jetën tonë për ju. Kaq shumë ju kishim për zemër!

9. Ju e mbani mend, o vëllezër, sesa shumë u munduam dhe sa shumë u lodhëm duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush ndërsa ju predikonim ungjillin e Perëndisë.

10. Ju edhe Perëndia jeni dëshmitarë se sjellja jonë kundrejt jush, besimtarëve, ishte e shenjtë, e drejtë dhe e paqortueshme.

11. Ju e dini se jemi sjellë me çdonjërin prej jush si një baba me bijtë e vet.

12. Ju kemi këshilluar, ju kemi dhënë zemër dhe ju jemi përgjëruar që të bëni një jetë të denjë për Perëndinë, i cili ju thirri në mbretërinë dhe lavdinë e vet.

13. Prandaj edhe ne e falënderojmë Perëndinë pa pushim se kur e dëgjuat prej nesh fjalën e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron në ju që besoni.

14. Ju, vëllezër, ndoqët shembullin e kishave të Perëndisë që janë në Jude dhe që besojnë në Krishtin Jezu, sepse edhe ju keni vuajtur të njëjtat gjëra nga bashkëkombësit tuaj, sikurse vuajtën edhe ata nga judenjtë,

15. të cilët vranë Zotin Jezu e profetët dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk e kanë pëlqimin e Perëndisë dhe janë kundër të gjithë njerëzve,

16. duke na penguar t’u predikojmë kombeve pagane, që këto të shpëtohen. Kështu ata e mbushin vazhdimisht kupën e mëkateve të tyre, por më në fund erdhi mbi ta zemërimi i Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Selanikasve 2