Dhjata e Re

1 Selanikasve 2:13-20 Së Bashku (ALNT)

13. Prandaj edhe ne e falënderojmë Perëndinë pa pushim se kur e dëgjuat prej nesh fjalën e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron në ju që besoni.

14. Ju, vëllezër, ndoqët shembullin e kishave të Perëndisë që janë në Jude dhe që besojnë në Krishtin Jezu, sepse edhe ju keni vuajtur të njëjtat gjëra nga bashkëkombësit tuaj, sikurse vuajtën edhe ata nga judenjtë,

15. të cilët vranë Zotin Jezu e profetët dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk e kanë pëlqimin e Perëndisë dhe janë kundër të gjithë njerëzve,

16. duke na penguar t’u predikojmë kombeve pagane, që këto të shpëtohen. Kështu ata e mbushin vazhdimisht kupën e mëkateve të tyre, por më në fund erdhi mbi ta zemërimi i Perëndisë.

17. Por ne, vëllezër, kemi qenë larg jush për një kohë të shkurtër, larg syve por jo larg zemrës dhe nga malli që kishim u përpoqëm edhe më shumë për t’ju parë përsëri.

18. Prandaj deshëm shumë të vinim te ju, madje unë Pali u përpoqa një ose dy herë, por na pengoi Satani.

19. Kush tjetër veç jush do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, kurora apo krenaria jonë para Zotit Jezu Krisht kur ai të vijë?

20. Po, ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi ynë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Selanikasve 2