Dhjata e Re

1 Pjetrit 4:6-17 Së Bashku (ALNT)

6. Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup dhe të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt.

7. Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë dhe rrini zgjuar për lutje.

8. Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate.

9. Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur.

10. Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t’u shërbyer të tjerëve.

11. Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia dhe pushteti në shekuj të shekujve! Amen!

12. Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t’u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme.

13. Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.

14. Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju.

15. Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve.

16. Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër.

17. Erdhi koha që të fillojë gjykimi nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 4