Dhjata e Re

1 Pjetrit 3:7-14 Së Bashku (ALNT)

7. Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë bashkë me ju hirin e jetës, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.

8. Së fundi, jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe të përulur.

9. Mos e ktheni të keqen me të keqe dhe as poshtërimin me poshtërim! Përkundrazi, bekoni, sepse u thirrët pikërisht për të trashëguar bekimin.

10. Shkrimi i shenjtë thotë: Kush e do jetën dhe dëshiron të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët e tij të mos thonë gënjeshtra.

11. Le të largohet nga e keqja dhe le të bëjë të mirën. Le të kërkojë paqen dhe le të rendë pas saj.

12. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë lutjet e tyre, por ai u kundërvihet atyre që bëjnë keq.

13. E kush do t’ju bëjë keq nëse jepeni me zell pas së mirës?

14. Por edhe nëse vuani për hir të drejtësisë, lum ju! Mos kini frikë nga kërcënimet e tyre dhe mos u tronditni.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 3