Dhjata e Re

1 Pjetrit 2:4-19 Së Bashku (ALNT)

4. Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia.

5. Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit.

6. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Unë zgjodha një gur të çmuar dhe e vura në Sion si gurin e qoshes. Kush beson në të nuk do të turpërohet.

7. Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë, guri që ndërtuesit e hodhën tej u bë guri i qoshes,

8. guri që i pengon dhe shkëmbi që i rrëzon.Ata që pengohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar.

9. Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.

10. Ju që dikur nuk ishit popull,tani jeni populli i Perëndisë.Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira,tani u mëshiruat.

11. Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore, që luftojnë kundër shpirtit.

12. Sjellja juaj ndër paganët të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.

13. Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë,

14. qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën.

15. Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.

16. Silluni si njerëz të lirë dhe mos e përdorni lirinë si mbulesë të veprave të këqija, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë.

17. Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

18. Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë dhe zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve.

19. Sepse është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë.

Lexoni kapitullin e plotë 1 Pjetrit 2