Dhjata e Re

1 Korintasve 11:13-25 Së Bashku (ALNT)

13. Gjykoni vetë: A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa mbuluar kokën?

14. A nuk na mëson vetë natyra se për burrin është çnderim nëse i mban flokët të gjatë,

15. ndërsa për gruan është nder? Flokët i janë dhënë asaj si mbulesë.

16. Por, nëse ndokush mendon ndryshe për këtë çështje, duhet ta dijë se një zakon të tillë nuk e kemi as ne, e as kishat e Perëndisë.

17. Megjithatë, për këto që do t’ju them tani, nuk mund t’ju përgëzoj. Kur ju mblidheni bashkë, kjo ju bën më shumë keq sesa mirë.

18. Së pari, dëgjova se kur mblidheni së bashku në kishë, mes jush ka përçarje dhe pjesërisht e besoj.

19. Njëmend që duhet të ketë edhe ndasi ndër ju, që të duken ata që janë besimtarë të sprovuar.

20. Dëgjoj se kur mblidheni në një vend, nuk mblidheni për të ngrënë darkën e Zotit.

21. Secili nga ju ha më përpara darkën që ka sjellë me vete dhe, kështu, dikush mbetet i uritur, ndërsa tjetri dehet.

22. A nuk keni shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo doni të përbuzni kishën e Perëndisë dhe të turpëroni ata që nuk kanë? Çfarë t’ju them? T’ju përgëzoj? Për këtë nuk ju përgëzoj.

23. Ajo që mora prej Zotit dhe jua dhashë edhe juve është kjo:Zoti Jezu atë natë që po tradhtohej mori bukën,

24. tha lutjen e falënderimit, e theu dhe tha: «Ky është trupi im për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».

25. Po ashtu, pas darkës, mori edhe kupën dhe tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim. Sa herë që të pini prej saj, bëjeni këtë në përkujtimin tim».

Lexoni kapitullin e plotë 1 Korintasve 11